Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç ka bërë të ditur se një delegacion nga Beogradi ditët e ardhshme do të shkojë për bisedime në Bruksel, për rezolutën që Serbia ka paraqitur kundër pavarësisë së Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Tadiçi tha se vërejtjet ndaj rezolutës serbe nuk kanë mbërritur nga Bashkimi Evropian, por prej disa ministrive të jashtme të shteteve anëtare të BE-së. Sipas tij, Beogradi është i gatshëm për bisedime rreth kësaj rezolute, sepse ajo mbron interesat e Serbisë.
Qeveria gjermane e përshëndeti këtë hap. "Në Ministrinë e Jashtme, gatishmëria e shprehur për bisedime e qeverisë serbe vlerësohet pozitivisht", deklaroi një zëdhënës. Për këtë kishte ngulur këmbë edhe Ministri i Jashtëm, Guido Westerwelle në vizitën e tij në Beograd, para pak ditësh, u tha. (dw)



