CV-ja duhet të jetë e thjeshtë dhe e saktë. Mos u zgjeroni tepër, meqë punëdhënësit nuk kanë kohë që të lexojnë të dhëna që janë më të gjera se dy faqe të formatit A4.
Një biografi e punës e shkruar si duhet, ndonjëherë ka rëndësi të madhe për thirrjen e kandidatit në vendin e caktuar të punës, prandaj mundohuni edhe ju që t’i rritni gjasat tuaja për t’u punësuar. Ja sesi mund ta shkruani një CV sa më të mirë.
Në CV, apo në biografinë e punës, duhet t’i jepni të dhënat elementare personale, arsimimin që e keni arritur, duke përfshirë edhe kurset që keni ndjekur, por edhe punët që keni bërë më parë.
Nga të dhënat personale, mjafton që ta shkruani emrin, mbiemrin, adresën dhe numrin e telefonit, në mënyrë që punëdhënësi potencial të mund t’ju njoftojë se a jeni pranuar, apo jo.
Nëse mundeni – edhe nëse nuk ju kërkohet – krahas CV-së bashkëngjiteni edhe një fotografi tuajën, natyrisht fotografi të bërë për dokumente.
Në pjesën ku duhet të theksoni përvojën e punës, përmendni të gjitha kompanitë ku keni punuar, si dhe punët konkrete që keni bërë.
Më së miri është që të filloni nga vendi i fundit i punës.
Kur bëhet fjalë për edukimin, përmendni të gjitha shkollat që i keni kryer, kur dhe ku i keni kryer ato. Sa i përket notës mesatare, nëse është e lartë, theksojeni, përndryshe është më mirë që ta evitoni. Përmendni edhe shpërblimet, diplomat, seminaret dhe konferencat ku keni marrë pjesë, sidomos nëse kanë lidhje me vendin e punës ku konkurroni.
Shkruani se a dini ta përdorni kompjuterin, cilat programe të kompjuterit i përvetësoni dhe çfarë kursesh keni mbaruar. Shumica e punëdhënësve sot kërkojnë njohjen e gjuhëve të huaja, të shkruara dhe të folura. Bëhuni i sinqertë dhe theksoni vetëm ato gjuhë të cilat me të vërtetë i dini.
CV-ja duhet të jetë e thjeshtë dhe e saktë. Mos u zgjeroni tepër, meqë punëdhënësit nuk kanë kohë që të lexojnë të dhëna që janë më të gjera se dy faqe të formatit A4.



