Nëse i flitni partnerit dhe ju duket se jeni duke folur me mur, dijeni se mund të keni të drejtë – ka shumë mundësi që ai as nuk ia vë veshin asaj që jeni duke thënë ju
Me gjasë edhe ju shpesh jeni pyetur se a ju dëgjon partneri me të vërtetë kur ju i thoni ndonjë gjë. Shkencëtarët pohojnë se këtë mund ta zbuloni në një mënyrë shumë të thjeshtë – duke e shikuar se sa shpesh i rrahë kapakët e syve.
Kur humbeni në mendime, ju fare nuk vëreni atë që është para jush, e shkencëtarët nga Universiteti kanadez “Waterloo” pohojnë se edhe trupi juaj reagon në po të njëjtën mënyrë.
Në të vërtetë, shkencëtarët kanë konstatuar se personat që nuk i kushtojnë vëmendje asaj që gjendet rreth tyre, rrahin kapakët e syve më shpesh, duke krijuar në këtë mënyrë një barrierë të llojit të vet midis vetes dhe botës së jashtme.
Daniel Smilek, autori i studimit, thotë se kur njeriu është i humbur në mendime, pjesa e trurit që është përgjegjëse për përpunimin e ngjarjeve të botës së jashtme, është shumë më pak aktive. Në përputhje me këtë, vjen deri te ndryshimi edhe i sjelljes së vet trupit tonë. Në fakt, në mënyrë që truri të mos regjistrojë detajet nga bota e jashtme, sytë fillojnë instinktivisht që të mbyllen.
Në studim kanë marrë pjesë 15 vullnetarë të cilët kishin për detyrë që të lexojnë një fragment nga një libër në versionin elektronik. Derisa ata ishin duke lexuar, me anë të sensorëve ishte përcjellë lëvizja e syve të tyre, si dhe sa shpesh rrihnin kapakët e syve dhe në cilën fjali përqendroheshin më gjatë. Studimi ka treguar se më së shumti kishin rrahur kapakët e syve personat që nuk i kishin kushtuar vëmendje përmbajtjes së pjesës që lexonin.
"Studimi ynë tregon se, kur njeriu fillon që të zhytet në mendime, ai mbyllë kapakët e syve në mënyrë që deri te truri i tij të mbërrijnë sa më pak informata", thotë Smilek.
Prandaj, nëse jeni duke biseduar me partnerin tuaj, e ai vazhdimisht rrahë kapakët e syve, kjo dmth se ai nuk është duke ju dëgjuar fare. Rezultatet e studimit janë botuar në revistën "Association for Psychological Science".



