Nëse shefit tuaj i pëlqen që t’ju maltretojë dhe nuk pranon kurrfarë arsyetimi për moskryerjen e punës, ekspertët u propozojnë tri mënyra sesi të mbroheni.
Mos lejoni që të bëheni cak i sulmit
Në vendin e punës nuk ka gjithmonë hapësirë të mjaftueshme për lirinë e të shprehurit. Disa gjëra nuk mund t’i thoni haptazi, sidomos jo kur bisedoni me shefin, prandaj është më mirë që t’i mbani për vete. Po ashtu, gjatë orarit të punës është më mirë që të mos bëni biseda private e as të kryeni punë të ‘imta’ personale, si psh caktimi i terminit te stilisti i flokëve, pagimi i rrymës elektrike...
Si të mbroheni: Blogoni, përdoreni chat-in dhe “Facebook”-un jashtë orarit të punës dhe, mendoni me logjikë: nëse shefi juaj njihet si një nxitës i paepur i atmosferës së punës, evitoni konfliktet e hapura me të. Në këtë mënyrë do ta kurseni veten nga situatat e palakmueshme, kurse kolegët nuk do të të shohin si dikë që është i prirë për konflikte.
Jeta juaj shoqërore nuk është hajgare
Shefi kërkon nga ju që të rrini më gjatë në punë, kurse ju keni planifikuar më parë që t’i merrni fëmijët nga çerdhja dhe të shkoni diku për vizitë.
Si të mbroheni: Para se të pranoni çfarëdo lloj pune, informohuni nga punëtorët e tjerë më të vjetër, se cilat janë shprehitë dhe adetet e shefit tuaj. Në këtë mënyrë do ta dini me kë keni të bëni: a pritet nga ju që të punoni ‘si kali’ në kuadër të orarit të punës, apo duhet që të jeni në dispozicion tërë kohën. Sido të që jetë, kjo është temë për bisedim dhe duhet që t’i qitni të gjitha ‘letrat’ në tavolinë.
Puna e papaguar
Puna jashtë orarit të rregullt, sipas ligjeve evropiane, nuk mund të zgjasë më shumë se tetë orë në javë, e as më shumë se katër orë në ditë. Nëse shefi juaj kërkon që të punoni edhe jashtë orarit të punës, atëherë kërkoni që për këtë edhe të paguheni. Është me rëndësi që çdo marrëveshje ta keni në formë të shkruar. Nëse ju duhet që të rrini më gjatë në punë, bile shfrytëzojeni këtë për të fituar më shumë.
Si të mbroheni: Kërkoni që në kontratën tuaj me punëdhënësin të shkruhet qartë sesi do të trajtohet puna jashtë orarit të rregullt. Nëse punëdhënësi juaj nuk e respekton një gjë të tillë, atëherë keni të drejtë që të ankoheni në sindikatë, apo bile edhe ta paditni atë në gjyq. Thënë shkurt, shpesh punëtorët që keqtrajtohen dhe shfrytëzohen në vendin e punës, një pjesë të ‘fajit’ për këtë e kanë edhe vet, meqë e lejojnë një gjë të tillë dhe nuk e dinë se çfarë të drejtash kanë.



