Ngrënia e ushqimeve jo të shëndetshme apo përdorimi i fjalëve të ndyta janë në krye të listës së shprehive të këqija që fitohen në vendin e punës
Nëse keni koleg i cili është i prirë për akuzimin e të tjerëve, kini kujdes, meqë kjo ‘sëmundje’ mund t’ju ngjitet edhe juve, thonë rezultatet e një studimi të bërë në Kaliforni.
Fajësimi, akuzimi dhe bërja me gisht kah gabimet e të tjerëve, janë metoda joproduktive me anë të të cilave të punësuarit tentojnë që ta ngritin veten në pozitë, e në një atmosferë të tillë të punës një numër gjithnjë e më i madh i të të punësuarve e merr edhe për vete një mënyrë të tillë të sjelljes, si mënyrë të vetëmbrojtjes.
'I akuzuari’ nuk do të mësojë asgjë nga gabimet e veta, meqë do të jetë tepër i zënë duke u mbrojtur – thonë autorët e studimit. Akuzuesit në vendet e punës tentojnë që, me akuzimin e të tjerëve, t’i ikin përgjegjësisë së tyre për dështimet dhe të ngriten në post, në kohët e krizave.
Por, ndikimi i kolegëve mund të jetë edhe pozitiv. Një studim psikologjik amerikan tregon se individët e vetë-disiplinuar me shembullin e tyre, ndikojnë te të tjerët që të vijnë në punë me kohë, të rrinë më gjatë në vendin e punës, apo që të angazhohen më shumë në punën që bëjnë.
Gripi nuk është gjëja e vetme që mund të merret në vendin e punës, meqë studimi i ri tregon se edhe emocionet e të tjerëve janë ngjitëse.
Punëtorët qaramanë dhe akuzues shumë shpejt ua prishin humorin kolegëve të tyre, por për fat edhe qeshja, gëzimi dhe entuziazmi, me një fjalë emocionet pozitive, po ashtu janë ‘ngjitëse’.



