Prindërit kanë shumë role jetësore, nga të cilat fëmijët mësojnë se është mirë të kesh dëshira dhe qëllime të ndryshme, e jo të përqendrohesh vetëm në një aspekt të jetës
Askush nuk është i përsosur, bile as prindërit, thonë psikologët. Nëse keni gabuar, bëjani me dije fëmijës tuaj se nuk keni pasur të drejtë dhe shpjegojani sesi mund të përmirësohet ai gabim. Kjo do t’u ndihmojë atyre që ta kuptojnë se nuk është bërë kiameti nëse edhe ata kanë gabuar, se të gjithë ne ndonjëherë gabojmë dhe se gabimet mund të përmirësohen.
Duke përmirësuar gabimin, si dhe duke kërkuar falje, krahas pranimit se nuk e keni pasur mirë, do t’i demonstroni fëmijës tuaj një mësim të rëndësishëm në jetë. Respekti ndaj të tjerëve – një veti e cila është e rëndësishme për të pasur sukses në jetë, po ashtu mësohet në familje.
Për këtë shkak, vazhdimisht duhet vënë në pah vlerën e zemërgjerësisë, falënderimit dhe sjelljes korrekte ndaj të gjithëve. Prindërit nuk janë vetëm edukues, apo mësues, por ata kanë edhe role të tjera në jetë. Psh, babai në të njëjtën kohë mund ta mësojë fëmijën që të vrapojë, që të jetë shok i mirë dhe kuzhinier i mrekullueshëm, derisa nëna mund ta mësojë të bijën që të jetë vajzë e dëgjueshme, profesioniste e zonja dhe, psh, fotografe e mrekullueshme.
Pasi që ta kuptojë se prindërit mund të kenë shumë role, fëmija mëson se nuk ia vlen që të përqendrohet vetëm në një aspekt të jetës, por duhet të punojë vazhdimisht në vetvete, duke u kënaqur njëkohësisht me frytet e punës së tij.



