Pleqve iu pëlqen që të lexojnë lajme negative që kanë të bëjnë me të rinjtë, meqë në këtë mënyrë iu rritet vetëbesimi, ka treguar një studim i ri, rezultatet e të cilit janë botuar në revistën “Journal of telecommunications”.
Kërkuesit shkencorë theksojnë se njerëzit e moshuar kryesisht kanë një reputacion negativ në shoqëri, meqë konsiderohen nga të tjerët si të ngadalshëm dhe harrestarë.
"Pleqtë jetojnë në një kulturë të kthyer kah rinia, prandaj iu është i mirëseardhur çdo rast për rritjen e vetëbesimit. Për këtë shkak edhe preferojnë lajmet e këqija për të rinjtë, të cilët kanë status më të lartë në shoqëri", shpjegon udhëheqësja e studimit, dr Silvia Knobloch Westerwick nga Universiteti në Ohajo.
Ajo, bashkë me kolegun e saj Mathias Hastal nga Universiteti “Zeppelin” në Fridrihshafen, kanë analizuar sjelljen e më shumë se 270 gjermanëve të moshës midis 18 dhe 60 vjeçare, të cilëve iu ishte thënë që ta lexojnë numrin e parë të një reviste të re online.
Me këtë rast, ishte parë se pleqtë janë më të prirë që të lexojnë artikuj negativ për të rinjtë, sesa për moshatarët e tyre, për të cilët thuajse nuk kanë treguar kurrfarë interesimi, pa marrë parasysh a bëhej fjalë për lajme pozitive, apo negative. Nga ana tjetër, të rinjtë kishin lexuar më shumë lajme pozitive për moshatarët e tyre.
Pas leximit të kësaj reviste, pjesëmarrësit në studim kishin plotësuar një pyetësor, me anë të të cilit ishte matur shkalla e vetëbesimit të tyre. Për dallim nga të rinjtë, vetëbesimi i pleqve ishte parë se ishte rritur pas leximit ë artikujve negativë për të rinjtë.
Edhe pse studimi është bërë në Gjermani, autorët e tij thonë se përkatësia kombëtare në këtë rast është plotësisht irrelevante, meqë rezultate të ngjashme mund të priten edhe në vende të tjera të botës.



