Ditëve tona ka një numër të madh preparatesh kozmetike kundër celulitit dhe djersitjes, por ajo që ne ju preferojmë, janë preparatet natyrore, të cilat përpos që janë më efikase, kanë edhe më pak efekte të padëshirueshme
Bajamet për ten të bukur
Pesë lugë bajame të bluara përzieni me dy lugë vaj bajamesh. Do të përfitoni një preparat të mrekullueshëm për piling (heqjen e qelizave të vdekura nga sipërfaqja e lëkurës), i cili do t’ju ndihmojë që ta pastroni lëkurën me themel.
Jamballi pas rrezitjes
Çaji i jamballit (lloj bime) freskon lëkurën, prandaj është i dobishëm te skuqjet nga rrezitja në diell. Katër lugë të rrënjës së jamballit (Glycyrrhiza glabra) përvëloni me një litër ujë, lëreni që të rrijë 25 minuta, e më pas kullojeni. Kur të ftohet, vejeni në lëkurë me anë të sfungjerit.
Mështekna kundër celulitit
Mështekna nxitë nxjerrjen e sasisë së tepërt të ujit nga organizmi, prandaj përzieni 40 g gjethe të mështeknës me 30 g të blirit dhe 30 g të gjetheve të bimës Centella asiatica. Zieni 10 minuta, duke qitur dy lugë të kësaj përzierjeje në gjysmë litri ujë dhe pijeni mëngjes e mbrëmje. Në kombinim me masazhin anticelulit, ky çaj jep rezultate të shkëlqyeshme.
Sherbela kundër djersitjes
Receta e parë: qiteni një lugë gjethesh të sherbelës në një filxhan me ujë të valë, lejeni që të rrijë 15 minuta, e më pas kullojeni. Këtë çaj duhet ta pini çdo ditë për një muaj, pas së cilës periudhë do të vëreni se djersiteni më pak se përpara.
Receta e dytë: Njomni 20 g sherbelë në 250 g uthull molle dhe lëreni që të rrijë një javë. Këtë losion shtojeni më pas në vaskë, apo në ujin për larjen e këmbëve.



