Katër hapa deri të vetullat e përsosura

Vetullat mund të jenë të dendura, të trasha, apo elegante të holla, por sido që të jetë, ato duhet të mirëmbahen vazhdimisht.

Ua sjellim këshillat e stilistes së njohur amerikane Carmindy, e cila ka shkruar edhe një libër në këtë temë, „Crazy Busy Beautiful“.

Ajo zbulon katër hapa për të pasur vetulla të përsosura.

Hapi 1: Krehja

Para se ta merrni pincën për shkuljen e vetullave, merreni krehrin e vogël të vetullave dhe krihni ato nga poshtë-lart.

Këtë mund ta bëni edhe me brushë të maskarës. Të gjitha qimet e vetullave që janë më të gjata, duhet prerë me gërshërë të vogla.

Duhet të keni dy lloje të pincave: një me maje të mprehtë, e cila është e përshtatshme për qimet e shkurtra, e tjetrën me maje të pjerrtë, e cila është e përshtatshme për qimet e trasha.


Hapi 2: Forma e rregullt

Para se të filloni me shkuljen e vetullave, me anë të një shkumësi të bardhë bëjeni një shabllon, respektivisht vizatoni formën e vetullave që doni ta keni.

Po ashtu, me rëndësi është edhe që ta përshtatni gjatësinë e vetullave me linjat e fytyrës suaj.

Vetullat do të duhej të fillonin në rrënjën e hundës dhe të vazhdojnë deri në fund të syve.

Hapi 3: Mbushni zbrazëtitë

Në mënyrë që të mbushni si duhet ndonjë mangësi në dendësinë e vetullave, sa për fillim duhet të zgjidhni tonin e duhur të shkumësit me të cilin do ta bëni këtë.

Biondet do të duhet të përcaktohen për një ton të ngjashëm me pjesën më të errët të vetullave, femrat e thinjura duhet të përdorin tone për ta larguar përshtypjen e monotonisë nga fytyra e tyre, leshkuqet duhet të përcaktohen për nuanca të ngjashme me ngjyrën e flokëve të tyre, kurse zeshkanet për një nuancë më të çelë sesa ngjyra e flokëve.

Hapi 4: Përfundimi

Kur të keni mbushur zbrazëtitë e vetullave, në mënyrë që të dukeni sa më bukur, përdorni xhel të tejdukshëm për vetulla.

Po ashtu, nëse ju paraqitet ndonjë vend i skuqur, në këtë vend duhet të aplikoni pak korrektor.

 

 

 

 

Komento


Emri:

E-mail:

Komenti: