Shtrohet pyetja se çka duhet bërë në një situatë të tillë? Më së miri është që djalit të tillë t’ia bësh me dije me butësi se nuk ke ndjenja dashurie ndaj tij
Është shumë mirë kur në ty dashurohet ndonjë djalë që të pëlqen edhe ty, por gjërat nuk shkojnë gjithmonë kaq mirë; ndodhë edhe që për ty të interesohet ndonjë djalë i cili ty nuk të pëlqen aq sa për të pasur lidhje me të – e në një rast të tillë, është vështirë t’ia bësh me dije atij se nuk ke ndjenja të tilla ndaj tij.
As për djemtë nuk është lehtë, kur ata kanë ndjenja ndaj ndonjë vajze, që t’i afrohen dhe ta vendosin veten e tyre në një pozitë të tillë të ndjeshme, duke shprehur ndjenjat e tyre. Për këtë shkak, nëse ty nuk të intereson ai djalë, duhet t’ia thuash këtë me butësi, e kurrsesi me ashpërsi, apo me përqeshje, sikur që veprojnë disa vajza, e as nuk duhet që ta mashtrosh djalin, duke luajtur me të dhe me ndjenjat e tij, si dhe duke e shfrytëzuar për të të bërë favore të ndryshme.
Pra, shtrohet pyetja se çka duhet bërë në një situatë të tillë? Më së miri është që djalit të tillë t’ia bësh me dije me butësi se nuk ke ndjenja dashurie ndaj tij, pa përqeshje dhe pa ofendime. Nëse të vjen vështirë t’i thuash “jo”, atëherë mund t’ia thuash këtë “rrotull”, duke i thënë se e sheh si një shok të mirë, apo edhe se tanimë je në lidhje me ndokënd tjetër.
Në një situatë të tillë rëndësi të madhe ka edhe që djalit që nuk e do, të mos i japësh shpresa të rreme, qoftë me fjalë, apo me gjeste, psh me buzëqeshje, në mënyrë që ai të mos mendojë se ka gjasa te ti, meqë në një rast të tillë, më vonë ai do të ndihet vetëm më keq dhe më i zhgënjyer. Apo, mund të vazhdojë me vardisje ndaj teje deri në pafundësi, duke t’i humbur edhe ty “shanset” e duhura.



