Gabimet më të shpeshta gjatë vënies së grimit

Vënia e grimit në shpejtësi shpesh është një domosdoshmëri, por që na sjell kokëçarje të mëdha. Ja sesi mund të evitoni gabimet më të shpeshta, apo nëse i keni bërë, si t’i korrigjoni.

1. Llaku i njollosur i thonjve

Kur i lyeni thonjtë në momentin e fundit, pra në shpejtësi, sidomos me llak të errët, për largimin e gabimeve më së miri është që të përdorni lapsin me aceton. Rreth thonjve mjafton që ta kaloni këtë laps magjik, i cili është i zhytur në aceton dhe përnjëherë do të largohen sasitë e tepërta të llakut. Mund të përdorni edhe shkopinjtë e veshëve të cilët më parë i zhytni në aceton.  
2. Grimcat e hijes kozmetike

Kur hija kozmetike, gjatë vënies, ju bie nën sy, mos u mundoni që ta largoni me duar, meqë vetëm sa do ta njollosni. Hiqeni atë me brushë për bojëkuq, e më pas, nën sy veni një shtresë të pudrës transparente. Para vënies së hijes në pjesën nën sy mund të veni një shtresë të trashë të pudrës pluhur, të cilën më pas e largoni me brushë.

3. Vënia jokorrekte e ajlajnerit

Nëse me ajlajner keni bërë një vijë jo të drejtë, më parë duhet të pritni derisa të teret, e më pas mund ta korrigjoni me ndihmë të shkopinjve për veshë të cilët më parë duhet t’i zhytni në tonik pa alkool, apo në krem hidratues. Në mënyrë që linja të jetë sa më e drejtë, vizatimin me ajlajner duhet ta filloni nga pjesa e brendshme e syrit.

4. Tepër bojëkuq

Nëse e keni tepruar me rastin e vënies së bojëkuqit kremoz, atëherë atë mund ta hiqni me anë të facoletave të lëngshme, me kujdes dhe vetëm në drejtim të tëmthave. Në fund, me gishta në fytyrë duhet ta veni pudrën e lëngshme, derisa ta arrini nuancën e dëshiruar.

5. Telashet me qepalla

Nëse doni që të veni disa shtresa të maskarës, atëherë duhet të pritni që secila prej tyre më parë të teret mirë. Por, nëse nuk keni kohë të mjaftueshme, ju këshillojmë që ta veni vetëm një shtresë, meqë në të kundërtën qepallat do t’u ngjiten. Lakuesin e qepallave përdoreni para vënies së maskarës, kurrsesi pas.
 

 

Komento


Emri:

E-mail:

Komenti: