Salla e Qendrës Kulturore në kryeqytetin serb thuhet se nuk ka pasur vend para fillimit të filmit nga Shqipëria “Gjallë”, të regjisorit Artan Minarolli, pjesëmarrës në festivalin e filmit “Fest”.
Ky festival mbahet për të 37-n herë në Beograd dhe kjo është hera e dytë që regjisori shqiptar Minarolli ka marrë pjesë. Pjesmarrës në vitin e kaluar ishte edhe Fatmir Koçi me filmin “Koha e Kometës”.
Pas përfundimit të filmit Minarolli është shprehur se ndonëse “Gjallë” trajton temën e gjakmarrjes, shkalla e atraksionit të filmit rritet me skenat e shumta komike që ngërthen.
Ai ka potencuar se gjakmarrjet në Shqipëri ende vazhdojnë dhe ka shumë fëmijë të mbyllur në zonat malore për shkak të historive që kanë nisur shumë kohë më parë.
Sipas tij ne shpesh si njerëz tentojmë të bëjmë diçka për ta ndryshuar realitetin, por gjendemi në situata të tilla që nuk mund të bëjmë asgjë.
Minarolli ka treguar se skenarin e ka shkruar duke u bazuar në një histori që mediat kishin dhënë lidhur me tragjedinë e Otrantos dhe se atëherë një nga viktimat ishte nisur vërtet për të shmangur gjakmarrjen. Ai vlerëson se filmi është pritur mirë nga publiku dhe këtë film e kanë parë edhe banorët e fshatrave ku është filmuar.
Minarolli mendon se kinematografia shqiptare ende ka shumë probleme dhe nuk arrin të formësohet.
Ku për shumicën e regjisorëve që bëjnë filma artistikë është e vështirë të sigurohet një vazhdimësi e punës për shkak se këta filma nuk kanë jetë të gjatë në treg.
Në filmin “Gjallë” luajnë aktorët si Nik Xhelilaj, Nijada Saliasi, Besart Kallaku, është një film që trajton gjakmarrjen dhe fillon me simbolikën e traditës ku njerëzit shpesh ndodhen në mes të veseve, kodeve dhe njerëzve që tentojnë t’u ikin dukurive të gjakmarrjes.
Ky film pas prezantimeve të suksesshme në festivale të ndryshme botërore, ditë më parë është shfaqur edhe në festivalin e filmit në “Berlinale”. (KD)



