Në arkivat britanike të Londrës është zbuluar një dokument i rëndësishëm për historinë e Shqipërisë,i cili tregon vulën e parë të përdorur nga Lidhja e Prizrenit.
Dokumenti me reference FO-195/1382 që mban datën 2 Maj 1881,është gjetur disa ditë më parë nga studiuesi Bejtullah Destani në arkivin qendrorë të Londrës.I shkruar në osmanishte nga Lidhja e Prizrenit,dokumenti i adresohet, ambasadorit britanik në Stamboll i cili më pas ja ka kaluar këtë letër ministrit të Jashtëm.
Nëpërmjet kësaj letre Lidhja e Prizrenit i kërkon ambasadorit britanik në Stamboll të mbështeste duke ndërhyrë, në qeverinë Otomane për njohjen e katër vilajeteve me emrin Arnautlik.
“I nderuar zoti ministër. E dërgoj këtë letër në vëmendjen tuaj pasi më duket shumë interesante” thotë ambasadori George Goschen në letrën e tij shoqëruese dërguar ministrit të Jashtëm Earl Granville.
Studiuesi Bejtullah Destani e ka komentuar gjetjen e këtij dokumenti si me një rendësi të madhe historike pasi për herë të parë nëpërmjet tij,shihet vula e parë e përdorur nga Lidhja e Prizrenit.Sipas tij kjo vulë nuk është përmendur apo botuar me parë.
I pyetur si mundi ta zbuloje këtë dokumentë Destani tha:“Gjetja ndodhi tejet rastësisht në momentin kur po shikoja një dosje që kishte të bënte me Vaso Pashen”. (Bota Sot)



