Bunkeri i Komandës Atomike Luftarake i cili ka emrin ushtarak ‘D-O’ të cilin jo larg Konjicit, në brendi të kodrës rrëzë malit Zlatar, 60 kilometra nga Sarajeva, e ngriti ish-Armata Popullore e Jugosllavisë në një hapësirë prej 6 mijë e 500 metrash katrorë në pranverë të vitit të ardhshëm do të shndërrohet në një hapësirë specifike ekspozuese. Në të do të mbahet bienali ndërkombëtar i artit bashkëkohor “D-OARK Underground”.
I vendosur 280 metra nën tokë, bunkeri ishte ndërtuar me qëllim që në rast të luftës atomike të funksionojë si qendër e operacioneve ushtarake, në të cilën do të stacionohej Shtabi i Komandës Supreme e mbi të gjitha të shërbente si strehimore për ish-kryetarin Tito, familjen dhe bashkëpunëtorët më të afërt të tij.
Ky objekt i cili ka pamjen e një labirinti me më shumë se 100 hapësira të ndara dhe më inventar krejtësisht të ruajtur sot e kësaj dite, me dhoma rezicendiale e salla konferencash asokohe ishte i paraparë të strehonte më shumë se 350 persona të cilët, pa asnjë ndihmë nga jashtë do të mund të jetonin për gjashtë muaj. Titoja asnjëherë nuk u fut në këtë objekt nëntokësor.
Deri në vitet ’90, bunkeri (ndërtimi i të cilit ka zgjatur prej vitit 1953 deri më 1979 dhe ka kushtuar 4.6 miliardë dollarë) ka qenë fshehtësia më e rreptë ushtarake e ish-Jugosllavisë.
Organizimi i Bienalit i cili tashmë ka marrë të drejtën që të përdorë shenjën CECEL (Council of Europe Cultural Event) në një objekt që tash e sa vite ka ruajtur të gjitha shenjat e simbolet e ish-sistemit, del nga korniza e një manifestimi standard ndërkombëtar. Projekti vjen nga Bosnjë-Hercegovina, përderisa Këshilli i Evropës këtë Bienal e ka shpallur si ngjarje kulturore të Evropës për vitin 2010. Projekti është financuar edhe nga UNESCO-ja.
Bienali në bunkerin e Titos ka në program ligjërata, ekspozita, tryeza të rrumbullakëta e performanca. Do të jetë vendtakimi i artistëve rajonalë e botërorë, i kuratorëve, i teoricienëve të artit. Në organizimin e tij janë përfshirë institucione të shumtë nga Bosnjë- Hercegovina, Muzeu i Artit Bashkëkohor i Republikës Serbe, “Kolegium artistikum” i Sarajevës, Muzeu i Artit Bashkëkohor i Istries, Qendra për Kulturë dhe Dekontaminim e Beogradit. Ideatore e projektit është Shoqata për promovimin e artit pamor “Kult Zona”.
Artistët pjesëmarrës në Bienal, duke realizuar veprat e tyre në këtë hapësirë, do të kenë mundësinë që të reagojnë dhe të japin komentet e tyre artistike në historinë që simbolizon këtë hapësirë: në njërën anë vendi i djegur i katandisur ekonomikisht e në anën tjetër Komanda Luftarake Atomike, një hapësirë e ruajtur në tërësi dhe e krijuar për t’i mbijetuar të gjitha.
Artisti boshnjak Edin-Edo Hoxhiq, njëri prej ideatorëve të Bienalit ka shpjeguar konceptin kuratorial të këtij manifestimi.
Kemi menduar që artisti pjesëmarrës në këtë bienal, në vendin ku mbahet ajo, të krijojë veprën artistike e cila funksionon vetëm në këtë hapësirë. Pas edicionit të tretë apo të katërt të Bienalit, ne fitojmë një muze, përderisa objekti i bunkerit mbetet i paprekur.
Të gjithë pjesëmarrësit do të duhet të jenë shumë të kujdesshëm për enterierin. Në këtë mënyrë, ajo çfarë do të arrinim do të ishte shtytja e boshnjakëve të cilët nuk është se dinë edhe aq për artin bashkëkohor të vijnë, ta shohin bunkerin dhe të njihen me vepra artistike ka thënë Hoxhiq.
Partneri i parë i këtij bienali do të jetë Qendra për Hulumtime e Universitetit të Romës, laboratori - muze i artit bashkëkohor (MLAC). Simoneta Luks, drejtoreshë e këtij muzeu, historiane e artit, konsideron se ky projekt i cili po shfaq një ambicie për t’u bërë ngjarje ndërkombëtare e artit “është në gjendje të valorizojë lidhjen ndërshtetërore të republikave të ish-Jugosllavisë. Sipas saj, kjo është një mënyrë që, nën flamurin e artit bashkëkohor, sërish të krijohet federata e vjetër ballkanike.



