Gjatë “Javës gjermane” e cila fillon nesër, dhe e cila organizohet nga Ambasada Gjermane në Kosovë dhe përkrahur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi ta njohin më shumë kulturën dhe traditën e Gjermanisë në shumë dimensione. Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Hans Dieter Steinbach tha se shkëmbimi kulturor është një element i rëndësishëm për mirëkuptimin e popujve në mes njëri-tjetrit dhe krijimin e urave, dhe populli gjerman përmes këtij projekti do të përforcojë këto ura me popullin e Kosovës.
Steinbach tha se kultura gjermane gjatë viteve të kaluara ka qenë pjesë përbërëse e jetës kulturore në Prishtinë, por edhe në qytetet tjera të Kosovës. Ndërsa, përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Bekim Lumi në emër të ministrit Beqiri përshëndeti iniciativën e “Javës Gjermane në Kosovë”, duke thënë se MKRS-ka mbështetur një organizim të tillë pasi që ky organizim lidhë Kosovën me të kaluarën në të gjitha dimensionet.



