Fjalori i Oksfordit vetëm në versionin digjital

Universiteti i Oksfordit ka vendosur që fjalorin më të ri ta publikojë vetëm në versionin digjital. Vendimi është arsyetuar me faktin se versioni virtual ofron mundësinë që ditë për ditë të shtohen fjalë të reja.

Fjalori do të ndryshojë pamjen e tij, nuk do të shtypet më në letër, por do të hidhet në internet.

“Oxford English Dictionary”, “babai” i gjuhës angleze dhe modeli i të gjithë fjalorëve, pikë referimi për miliona persona që flasin dhe shkruajnë, nuk do ta publikojë më edicionin e tretë të shtypur në letër, një projekt gjigant për të cilin po punon prej njëzet vjetësh një skuadër profesioniste leksikografësh: vepra e re do të publikohet vetëm në versionin digjital, në internet.

“Fjalorët e shtypur po zhduken”, justifikohet Nigel Portwood, president i “Oxford University Press”, shtëpia botuese e të njëjtit universitet dhe e fjalorit që mban po atë emër.

“Të tillë fjalorë nuk shiten më. Ai që ka nevojë mund ta shfletojë fjalorin në internet, ku ndryshimet e fundit bëhen në kohë reale ditë pas dite, po ashtu edhe futja e termave të rinj, si dhe fshirja e fjalëve të vjetra”.

 Fjala e fundit që i është shtuar fjalorit është “vuvuzela”, vegla muzikore që dëgjohej duke buçitur në botërorin e futbollit që u zhvillua në Afrikën e Jugut.

Vendimi i marrë nga drejtuesit e “Oxford English Dictionary” ka një qëllim, që mbi të gjitha mendohet të jetë ekonomik: edicioni i kompletuar i “Oxford English Dictionary”, i cili gjendet në 20 volume, nuk është shtypur kurrë për të përfituar të mira materiale që kur u shtyp kopja e parë, pothuajse para një shekulli e gjysmë.

Ndryshe nga kopjet e shtypura në letër, versioni digjital është dhe do të jetë gjithmonë një sukses komercial: në internet, fjalori i “Oxford English Dictionary” hapet nga dy milionë persona në muaj. Abonimi 1-vjeçar kushton 250 sterlina.

Përveç kësaj, mund të marrësh edhe të drejtën e autorit nga “Google”, i cili e përdor “Oxford English Dictionary” për motorin e tij të kërkimit (meqë jemi te ‘Google’, kjo fjalë është bërë pjesë e Fjalorit të Oxfordit në internet në vitin 2006).

Ashtu si atllaset dhe manualët e tjerë të këshillimit, tashmë fati i fjalorit prej letre duket se është vendosur: do të qëndrojë në raftet e bibliotekave të mëdha angleze, ndërkohë që botën e gjallë dhe të re do ta lexoni në internet. Sipas presidentit të “Oxford University Press”, kjo është shenjë e një ndryshimi që po prek edhe librin.

 “Pas 30 vjetësh industria e letrës së shtypur do të jetë transferuar pothuajse e gjitha në internet”, thotë Portwood. “Sot në Amerikë, në disa tituj, ‘e-books’-at, librat elektronikë që lexohen në ‘iPad’ apo në një lloj tjetër lexuesi, do t’i kalojnë titujt prej letre që janë në shitje”.

E njëjta gjë do të ndodhë herët apo vonë edhe gjetkë. Ideja për të koleksionuar në rregullin alfabetik fjalët e gjuhës angleze, duke ia nxjerrë secilës kuptimin, filloi të përhapej në shekullin XVI.

Fjalori i parë u hartua dhe u publikua nga Samuel Johnson në vitin 1755. Ky fjalor do të mbetej edhe modeli standard i lëndës për njëqind e pesëdhjetë vitet e ardhshme.

Pastaj në 1879-n “Oxford University Press” prezantoi fjalorin e tij. Përmbledhja e parë u publikua në vitin 1928.

U deshën 61 vjet për ta azhurnuar: botimi i dytë, i gjithi 20 volume, u publikua në vitin 1989 dhe vazhdon të jetë në shitje.

Kushton 750 sterlina së bashku me versionin më ekonomik të “Oxford Dictionary of English”, një volum i cili gjendet pothuajse në çdo shtëpi.

Ideja që tani ky “arbitër” i gjuhës angleze do të zhduket, duke u zëvendësuar nga një “binjak” digjital, pritet si një shenjë e pashmangshme zhvillimi nga “Sunday Times”.

 “Natyrisht që ishte bukur të shihje ato 20 volume blu nëpër raftet e bibliotekave dhe të mund t’i shfletojë sapo të hasje vështirësi për një fjalë që nuk kuptoje.

Megjithatë, do të jetë më e lehtë për t’i lexuar në internet, pasi nuk humbet edhe shumë kohë duke shfletuar faqet për të gjetur fjalët e paqarta”.(koha/aktualiteti)

 

 

 

Komento


Emri:

E-mail:

Komenti: