Çmimi i karrierës për Bekim Fehmiun në Durrës

Në amfiteatrin e lashtë romak, në qytetin bregdetar të Durrësit, mbrëmjen e së dielës ka nisur edicioni i tretë i Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit.

Nata e parë e këtij festivali është rezervuar për të ndarë katër çmime për karrierë, të cilat këtë vit ndër të tjerë i ka takuar aktorit me famë botërore, Bekim Fehmiu.

Çmim për karrierë kanë marrë edhe Dhimitër Xhuvani, Agim Qirjaqi dhe Tinka Kurti.

Aktori Enver Petrovci ka qenë ai që është ngjitur në skenën e këtij festivali për të pranuar çmimin për mikun e tij, aktorin Bekim Fehmiu.

Me këtë ka nisur gara për “Gladiatorin e artë”, në të cilin konkurrojnë 26 filma nga mbarë bota.

Në kategorinë “Vizione bashkëkohore”, juria qendrore, së cilës i prin regjisori kosovar, Isë Qosja, do të vendosë edhe për regjisorin më të mirë, aktorin dhe aktoren më të mirë, si dhe çmimin e kritikës.

Drejtoresha e këtij festivali, Anila Varfi, ka thënë se mbrëmja e së dielës, amfiteatrit të lashtë romak ia ka prishur qetësinë, nga e cila karakterizohet pothuajse gjatë tërë vitit.

“Një natë magjike ku do të garojnë filmat dhe ku janë bërë bashkë kaq shumë njerëz të filmit, që bashkojnë ëndrrat e tyre për të krijuar të bukurën”, ka thënë Varfi.

Në një tjetër kategori, të titulluar “Botë ballkanike”, do të shfaqen në garë 12 filma nga vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Turqinë.

Çmimet që do të ndahen për këtë kategori janë “Filmi më i mirë i Ballkanit”, si dhe “Filmi më i mirë i audiencës”, për të cilin do të vendosë një juri e formuar nga dhjetë kinemadashës.

Mirëpo, festivali i Durrësit nuk do të ketë hapësirë vetëm për regjisorët e sprovuar.

Për këtë arsye si pjesë e veçantë e këtij edicioni është konkurrenca për filmat e studentëve.

Me këtë kemi dashur të krijojmë hapësirë për talentet e reja, për të promovuar ata, ka thënë Varfi.

Tridhjetë filma të akademive të filmit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni janë pjesë e kësaj konkurrence.

Në garë në këtë kategori janë edhe 4 filma të shkurtër nga Kosova, ndërkaq regjisori kosovar, Ismet Sijarina, njëri nga tre anëtarët e jurisë së kësaj kategorie, filmat e së cilës paraprakisht do të vlerësohen edhe nga vetë filmbërësit e kësaj kategorie.

Gjatë ditëve të festivalit do të shfaqen dhe tetë filma artistikë francezë jashtë konkurrimit në seksionin “Takimet e ngushta”, si dhe disa dokumentarë në seksionin “Dokumentari internacional”.

 

 

 

Komento


Emri:

E-mail:

Komenti: