Auditori Gjeneral: Financat publike janë kepërdorur

Në Raportin e Auditorit Gjeneral për viitn 2008 janë përfshirë në një kapitull të veçantë mekanizmat shtetëror, tek të cilët janë gjetur keqpërdorime të mjeteve financiare, keqpërdorime të pozitave të zyrtarëve, si: punësime të parregullta, kontrata të paligjshme, mungesa të regjistrave, madje, edhe fakte se paratë publike mbahen nëpër shtëpi të personave zyrtarë. Institucionet janë të radhitura në këtë formë në Raportin e Auditorit Gjeneral për vitin 2008.


Në Kuvendin e Kosovës janë gjetur këto shkelje:

Furnizim me material, pa aprovim të kërkesës për furnizim:në shpenzimet e Kuvendit, ZAP ka gjetur se furnizimi me llap-top me nr.të kontratës 08-036-121 në vlerë prej 55,556 €, ku nga 82 llap-top të blerë, për 10 nga ta nuk ka pasur kërkesë të aprovuar. Shkelje të procedurave të prokurimit: nga të cilat, në Kuvendin e Kosovës janë gjetur edhe: mosnjoftim të kompanive ofertuese për eleminimin e tyre, mosekzekutim të punëve dhe shërbimeve të kryera sipas planit të liferimit, moskryerje të pagesave ndaj kontraktorëve etj. Tejkalimi i shpenzimeve të reprezentacionit: gjatë vitit 2008 këto shpenzime të reprezentacionit janë tejkaluar me vlerën 5,719 €.


Në Zyrën e presidentit të Republikës së Kosovës

Nënshkrim i kontratave të paqarta: kontrata e nënshkruar me datën 26.02.2008 është e paqartë dhe e tipit kornizë, sipas çmimit për njësi. Në pikën 17.0 vlera e kontratës për njësi është 7,465€, ndërsa në pikën 17.1 çmimi për njësi (për automjet) është 2,854.50 €. Nuk është përdorur forma standard e kontratave. Shuma e pagesave të kryera ka qenë 18,370 €. Keqpërdorime në mirëmbajtjen dhe servisimin e automjeteve zyrtare: për automjetin “TOYOTA” është bërë furnizimi me artikuj që nuk kanë qenë në specifikacion teknik dhe që nuk janë në ofertën e kontraktorit, në këtë mënyrë janë bërë furnizime dhe pagesa të pa autorizuara, shuma e të cilave është 3,650 €. Tejkalimi i shpenzimeve të telefonit: prej 38 shfrytëzuesve të telefonisë fikse, 9 prej përdoruesve kanë tejkaluar shpenzimet e lejuara. Shuma e përgjithshme e tejkalimeve gjatë vitit është 1,706€. Për më tepër në listën e telefonave fiks, 13 numra të teleonit janë te papërdorshëm, por për të cilët bëhet pagesa për taksë çdo muaj. Edhe te shfrytëzimi i telefonisë mobile (roaming) ka tejkalime po ashtu të ndjeshme.Vlera e tejkalimeve nëpër muaj arrinë 1,848 €. Madje ka rast kur për muaj ka arritur vlera e shpenzimit deri në 389.77 (korrik) prej një personi, kurse të lejuara janë 100 € në muaj, një zyrtar tjetër ka arritur vlerën e shpenzimeve për muajin nëntor 446.35 € kurse të lejuar e ka vlerën 100€ në muaj.


Zyra e Kryemninistrit

Shkelje në procedurat e shpenzimeve të reprezentacionit: Zyra e Kryeministrit kishte paguar gjatë vitit 2008 shumën prej 172,743€ në emër të shpenzimeve të reprezentacionit. Në gjashtë mostra të audituara nuk specifikohen llojet e shërbimeve (ushqim, pije) si dhe kontratat e nënshkruara nga shefi i kabinetit të Kryeministrit dhe pa zotim të mjeteve (ky zyrtar nuk është i autorizuar për nënshkrimin e dokumenteve kontraktuese). Mungesa e regjistrave gjithëpërfshirës të pasurive: në vitin 2007 pasuritë jofinanciare janë raportuar në shumën prej 201,996 €, kurse Raporti Vjetor Financiar i BKK-së për 2008 ka raportuar pasuritë në shumën prej 125,719 € d.m.th. janë raportuar 76,277 € më pak.


Ministria e Ekonomisë dhe Financave

Pagesa e avanseve mbi 30 për qind pa aprovim nga ana e ministrit: ndërtimi i objektit të ATK-së në Prizren, kontrata është nënshkruar më 22.12.2008, ndërsa dy ditë më vonë është bërë pagesa në avans me vlerë 353,995 € respektivisht 30 për qind, diferenca e mbi paguar është në vlerë prej 117,998 €. Kjo pagesë është bërë pa aprovim nga ana e ministrit. Shkelje në procedurat e prokurorimit për mirëmbajtjen e veturave: servisimi dhe mirëmbajtja e veturave zyrtare Nissan Terrano 2.7 TDI. Në procedurat e prokurimit për “serisimin dhe mirëmbajtjen e veturave zyrtare Nissan Terrano2.7TDI, specifikacioni teknik ka kërkesa (artikuj) të cilat nuk janë pjesë e këti tipi të veturës.


Ministria e Shërbimeve Publike

Përzgjedhja e ofertuesit më të shtrenjtë: në kontratën me numër: 124-08-152-121 në ESK. Furnizimi me Pajisje të IT me vlerë prej 59,320 € nuk janë respektuar kriteret e përzgjedhjes së ofertuesit. Është zgjedhë operatori ekonomik me çmim ma të lartë, ku ka pas ofertues të tjerë me çmim më të ulët prej 28,257 €, që i ka plotësuar kriteret dhe nën kriteret për shpërblim të kontratës.


Departamenti i Administratës së Shërbimit Civil

Mosharmonizimi i të dhënave të Sistemit të Pagave me Librin Kryesor të Thesarit, Sistemi i Pagave, i cili administrohet nga MSHP ka bërë harmonizime me Librin Kryesor të Thesarit. Mirëpo diferenca e paraqitur në tabelë paraqet shpenzime të proceduara nga Thesari të pagave neto të cilat nuk kanë kaluar nëpërmjet sistemit të pagave dhe ndryshimeve të kodeve gjatë regjistrimit nga ana e Thesarit. Nga tabela mund të shihet se ka pasur diferenca për disa Organizata Buxhetore. Në total kjo diferencë është 442,394 euro ose për 0.24%.


Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

Përzgjedhja e ofertuesit më të shtrenjtë: në kontratat e ofruara për shërbime të ndryshme, kjo ministri ka angazhuar kompani, madje me çmime më të larta deri në 56.058 euro. Shkelje në procedurat e prokurimit: edhe në këtë ministri, janë vërejtur pagesa të kryera, pa përfunduar punët, edhe pse aneks kontrata specifikon që pagesa të bëhet pas përfundimit të shërbimeve të kontraktuara. MBPZHR po ashtu është furnizuar me artikuj që nuk ishin paraparë më kontratën e nënshkruar. Shkelje në dhënien e subvencioneve: kjo ministri i ka dhënë donacion fermerit i cili nuk i ka plotësuar as 50 % të kritereve të kërkuara nga ministria. Emërime pa konkurs publik: në MBPZHR, në disa raste janë bërë emërime të zyrtarëve pa konkurs publik, nuk ka zyrtar të të hyrave, etj. ZAP ka gjetur edhe katër raste të konfliktit të interesit brenda ministrisë.


Ministria e Tregtisë dhe Industrisë

Përzgjedhja e ofertuesit më të shtrenjtë: kriter bazë për shpalljen e fituesit ka qenë “Oferta ekonomikisht më e favorshme” Operatori Ekonomik “Hidroterm” ka fituar kontratën duke u poentuar më së larti, mirëpo ky OE ka dështuar të përfundojë punimet në përputhje me ofertën e paraqitur. Gjatë fazës së ofertimit, tre ofertues tjerë kanë pasur çmime më të lira, ku dallimi në mes të fituesit dhe ofertuesit më të lirë OE Alfa.i.&Kag asfalt” është 244,675 €.


Ministria e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit

Shkelje të procedurave të prokurimit: Sa i përket njësive të patentë shoferëve, ZAP vlerëson se nuk ekzistojnë kontrolle adekuate mbi procesin e organizimit të provimeve për patentë shoferë. Ndërsa sa i përket shpenzimeve përmes procedurave të prokurimit, është gjetur se janë dhënë kontrata edhe pse nuk i kanë përmbushur kushtet minimale ekonomike dhe financiare sipas tenderëve. Ka raste kur janë shpallur fituese, kompanitë me çmime më të larta të ofruara. Arkëtimi i dobët i të hyrave nga bizneset e kyçura ilegalisht në rrugë: mos ndërmarrja e masave nga ana e MTPT-së për bizneset që janë kyçur ilegalisht në rrugë dhe arkëtimi i dobët i të hyrave nga bizneset që kanë marrë pëlqimin për kyçjen në rrugë, ka bërë që borxhet e papaguara prej vitit 2001 deri në vitin 2008 arrijnë shumë prej 2,144,124 euro.


Ministria e Shëndetësisë

Mungesa e regjistrave financiar: Ministria e Shëndetësisë nuk posedon regjistra të plotë financiar burimor të cilët do të shfrytëzoheshin për përgatitjen e pasqyrave financiare dhe do të mbështetnin të dhënat e paraqitura nga Pasqyrat Financiare. Shkelje në lidhjen e kontratave: në lëndën “furnizimi me pjesë rezervë dhe pajisje medicinale” në vlerë 95,019 euro, auditori ka gjetur se kontrata ishte lidhur me 19 dhjetor 2008, dhe të njëjtën ditë është bërë edhe pagesa e plotë, edhe pse në kontratë parashihet që pagesa e fundit të bëhet pas pranimit përfundimtar të mallrave. Pranimi i mallrave nga persona të paautorizuar, pranimi i mallrave (Barnave të Listës Esenciale) ishte bërë nga personi i pa autorizuar, ndërsa nuk mbahen raporte komplete për Barnat e Listës Esenciale. MSH nuk ka mundur t’i ofroj ZAP-it të dhëna të plota rreth kërkesave.


Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Përzgjedhja e operatorit më të shtrenjtë dhe ekonomikisht të papërgjegjshëm, në ndërtimin e palestrës sportive në Drenas, ishte përzgjedhur operatori ekonomikisht i përgjegjshëm dhe me çmim më të ulët. Komisioni vlerësues kishte përzgjedhur si fitues të tenderit operatorin N.N “Polluzha” nga Drenasi, i cili ka qenë për 11,851 euro më i shtrenjtë se operatori ekonomik “Inxhinjering”. Të dy operatorët nga ana e komisionit për vlerësim ishin kualifikuar si ekonomikisht të përgjegjshëm. Të hyrat nuk depozitohen në bankë: nga të hyrat e kësaj ministrie, janë evidentuar disa parregullsi, si: paratë e arkëtuara me rastin e shitjes së biletave nga ana e Teatrit Kombëtar, si dhe paratë e arkëtuara nga pagesa për anëtarësi në biblioteka dhe shërbime tjera, nuk depozitohen në bankë dhe nuk regjistrohen në sistemin e thesarit. Mjetet paraqiten si të shpenzuara, ndërsa ato gjinden të depozituara në bankë, në kategorinë e Investimeve Kapitale është paraqitur vlera prej 128,000 euro si shpenzim i ndodhur gjatë vitit, ndërsa projektet për të cilat ajo shumë ishte dedikuar, nuk kishin filluar ende të realizohen. Paratë në realitet nuk janë shpenzuar, por ato gjenden të depozituara nëpër llogaritë e bankave komerciale të hapura nga ana e institucioneve nën administrimin e MKRS-së. Marrja e pagave edhe pas skadimit të kontratës, ZAP ka gjetur kontrata jo të vlefshme me afat të skaduar. Për vitin 2008, MKRS kishte paguar përmes subvencioneve mbi 316 paga tjera mujore sipas kontratës mbi vepër. Shuma e paguar për 316 të punësuarit në sistemin payroll ishte 902,446 euro, ndërsa për 316 të punësuarit me kontratë mbi vepër ishte 681,733 euro. Lidhja e kontratave para zotimit të fondeve: janë evidentuar parregullsi në blerjen e pajisjeve të ndryshme. Është nënshkruar kontrata për furnizimin me llap-topa për nevoja të ministrisë, para zotimit të fondeve (ose pa fonde të mjaftueshme).


Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë

Shkelje të kontratave: tek një kontratë në vlerë prej 1,090,789 euro punë kryesi ka kryer punë të cilat nuk janë përfshire në kontratë, edhe pse ishte kërkuar nga menaxheri i projektit qe këto punë mos të kryhen. Ngecje në dinamikën e ndërtimeve: në dy kontrata me vlerë 3,457,175  euro të ndërtimit të shkollave ka pasur ngecje në dinamikën e ndërtimeve. Pas 85 ditëve, nuk është kryes asnjë punë tjetër përveçse gërryerja e terrenit. Puna e paekzekutuar pranohet si punë e kryer: mbi pagesat- nga 4 mostra në vlerë prej 7,286,585 euro të testuara, auditori ka gjetur se një pjesë e punës të pa ekzekutuar është pranuar si e kryer dhe është miratuar pagesa e saj. Paqartësi në pranimin e pajisjeve: tek një kontratë për furnizime me pajisje Teknologjike Informative në vlerë 153,530 euro raporti për pranim nuk jep informacione se kush ka marr pjesë në Komisionin për pranimin e pajisjeve nëpër 7 qendrat e Kosovës. Keqmenaxhimi me paranë e gatshme: në Qendrën Studentore dhe Institutin Albanologjik, në këto raste është gjetur se personat përgjegjës nuk ka qenë në gjendje të barazojnë arkën, ndërsa në Institutin Albanologjik nuk ka kasaforte fare dhe paraja ruhet në shtëpinë e personit përgjegjës.


Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale

Keqpërdorimi i derivateve gjatë shfrytëzimit të veturave: për 2 vetura nga kabineti i ministrit nuk ishin ofruar dëshmi për regjistrimin e kilometrave të kaluara. Për 7 vetura tjera pjesërisht ishin regjistruar kilometrat e kaluara, andaj bazuar në këto shënime të mangëta të ofruara mesatarja e shpenzimit të karburanteve del të jetë 44,5 litra/100 km. Ndërsa për të gjitha veturat tjera mesatarja e shpenzimeve është 15 litra/100 km. Tejkalimi i shpenzimeve të telefonit: nga mostrat e përzgjedhura për shpenzimin e telefonit roaming për muajin qershor 2008 është konstatuar se numri 044/509-620 ka tejkaluar shpenzimet e lejuara në shumë prej 61 euro. Ndërsa për shpenzimet e telefonisë fikse për mostër ishin marr shpenzimet e muajit shtator dhe dhjetor 2008 dhe me testimet e bëra ishte konstatuar tejkalim të limitit të lejuar, sipas Vendimit Nr 81 të datës 03.03.2008 për zbatimin e UA 04/2008. Tejkalimi i shpenzimeve të lejuara arrin shumën prej 4,255 € (apo 65% më tepër se shpenzimet e lejuara). Avanset zyrtare të pambyllura: avanset për udhëtime zyrtare nuk janë mbyllur për vitet 2005 deri 2008 me një vlerë prej 33,267€ , kurse vlera prej 25,847€ nuk është arsyetuar me dokumentin përkatës. Keq menaxhimi me paranë e imët: paraja e imët nuk është mbyllur në vitin 2008 në vlerë prej 5,000 € dhe janë dhënë avance në vlerë prej 2,753 €. Nga këto të dhëna është konstatuar se organizata buxhetore ka vepruar në kundërshtim me ligjin Nr. 03/L-048 mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë dhe UA Nr. 2008/10.


Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor

Anashkalimi i procedurave gjatë lidhjes së kontratës për qira: gjatë ekzaminimit të lëndës lëshimi i objektit me qira në hapësirat e IHM, MMPH ka lidhur kontratë me qiramarrësin duke anashkaluar procedurat e hapura për oferta publike, kontrata është lidhur me datë 09/01/07 me nr. 06/32/2 nga zyrtari më i lartë administrativ. Mungesa e Komisioneve për pranimin e punëve: gjatë ekzaminimit të lëndëve është vërejtur se MMPH nuk ka formuar komisione për pranime te punëve të realizuara nga operatoret ekonomik. Rehabilitimi i deponisë së mbeturinave në Ferizaj në vlerë prej 148,945 euro. Ekzekutimi i punëve në kompleksin memorial Adem Jashari në vlerë prej 981,999,91 euro ndërsa vlera e paguar në tre këste 589.200 euro. Furnizim me aparat telefonik mobil “Iphone”: Furnizimi dhe pajisja me telefona mobil në vlerë prej 6,930.00 euro .Kabineti i ministrit është furnizuar me telefona mobil (Ifone) në vlerë të lartë prej 750 euro - 550 euro. Keqpërdorime në shfrytëzimin e automjeteve zyrtare: Automjetet zyrtare janë marrë në përdorim pa aprovimet përkatëse, mungesë të evidencave mbi kilometrat e kaluara gjatë shfrytëzimit të automjeteve, shumica e faturave nuk kanë qenë në specifikacione teknike të dosjes së tenderit.


Ministria për Kthim dhe Komunitete

Mobiliet e ministrisë kalojnë në dispozicionin privat të ministrit: ZAP ka gjetur se mobiliet e blera afër 10,000 euro, nuk gjenden në ministri, por janë në dispozicion të ministrit. Po ashtu janë gjetur disa raste të ndryshimit-përmirësimit të faturave, duke ndërruar shumën. Keqpërdorime në rekrutimin e punëtorëve: Nga realizimi i buxhetit është gjetur se shumica e personelit nuk e kanë nënshkruar listën e pagave. Dhjetë punonjës nga 14 mostra të audituara me vendim të sekretarit permanent janë pranuar në punë si ushtrues detyre në pozita përkatëse, pastaj është bërë shpallja e konkursit për rekrutim, edhe pse të gjithë nuk i kanë plotësuar kriteret, duke u favorizuar kështu nga komisioni vlerësues. Tejkalim i shpenzimeve për furnizim me kompjuterë: Tek shpenzimet për blerje të kompjuterëve dhe pjesëve tjera, janë parashikuar të shpenzohen 16,000 euro, ndërsa janë shpenzuar 26,459 euro, apo mbi 10,000 euro më shumë. Janë blerë tre llap-top në vlerë prej 3,300 euro, e që nuk gjenden në evidencën e pasurisë.


Ministria e Punëve të Brendshme

Shkeljet në procedurat e rekrutimit: në tri raste punësimi, janë lidhur kontrata pune pa procedurë rekrutuese dhe pa vendim përkatës. Po ashtu, për tre punëtorë janë lidhur kontrata të punës më herët, pastaj është bërë shpallja e konkursit, etj. Shkelje në procedurat e prokurimit: në prokurimin me nr. 214/207/08/073/236 në regjistrin e tenderëve të dorëzuar janë të evidentuar katër kompani ofertuese, kurse në procesverbalin e hapjes dhe vlerësimit të ofertave janë evidentuar pesë kompani. Mbivlerësim të faturave: Tek investimet kapitale, në dy kontrata në vlerë të përgjithshme prej 480,725 euro ka pasur mbivlerësim të faturave. Për tri raste të ndryshme, janë identifikuar rritje të faturave në vlerë prej 9,009 euro.


Ministria e Drejtësisë: Mbivlerësimi i kontratave

Furnizimi me pajisje dhe material shpenzues mjekësor si dhe servisimi i aparateve mjekësore të Lot 2 dhe 5 kontrata nuk nënshkruhet sipas çmimit të komisionit vlerësues, por mbi vlerësohet për Lot-in 2 nga 49,955 € në 54,255 € dhe për Lot-in 5 nga 1,215 € në 1,681 € (diferenca 4,300 € dhe 366 € ) që d.m.th buxheti dëmtohet për 4,666 €. Keqpërdorime në pagesën e qirasë: Ri-tenderimi për marrjen me qira të hapësirave për zyre të departamenteve të MD, në Prizren: Kontrata është nënshkruar për hapësirën prej 1,300 m2 x 6,3 = 8,190 €, ndërsa sipas përshkrimit teknik të objektit ka një hapësirë prej 944,3 m2 x 6,3 = 5,949€, d.m.th. paguhet më tepër 355.7m2 x 6,3= 2,240 €/muaj, gjegjësisht 2,240.91 x 12 = 26,890 € dëmtim i buxhetit në vit. (V.G. Ekonomisti)

 

Komento


Emri:

E-mail:

Komenti: