Pamundësia e Qeverisë së Kosovës për t’u futur në kredi, zvogëlimi i mëtejshëm i të ardhurave nga donatorët dhe baza e ulët e të ardhurave kanë krijuare një sfidë për institucionet kosovare për ta përballuar numrin e madh të të papunëve.
Numri i të papunëve në Kosovë po rritet në vazhdimësi edhe pse të dhëna të sakta zyrtare deri më tash nuk ka.
Të dhëna të sakta për numrin e të papunëve nuk ka asnjë institucion i Kosovës, as Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, (MPMS), por as Enti i Statistikave të Kosovës (ESK).
Sipas të dhënave të MPMS-së, gjatë një viti në Kosovë janë të gatshëm për tregun e punës 31 mijë të rinj, ku një numër i vogël i tyre mund të gjejnë punë.
Musa Demiri, zëdhënësi i MPMS-së, për gazetën “Lajm” ka thënë se të dhënat për numrin e të papunëve nuk janë shumë të sakta.
Sipas tij këto të dhëna janë bërë në bazë të hulumtimeve në terren.
Në Kosovë janë të papunë rreth 338.895 persona, ku prej tyre 161 mijë janë femra,e këto të dhëna janë marrë nga qendrat lokale të punës dhe të punësimit nëpër shtatë qytetet kryesore të Kosovës ka thënë Demiri.
Për nga papunësia e para është Mitrovica me 64.338 persona të papunë, Prishtina radhitet e dyta me 63. 448 persona të papunë, Prizreni me 58. 440 të papunë, Gjakova me 40. 600, Peja me 39. 734, Gjilani me 36. 231 dhe Ferizaj me 360. 64 të papunë.
Ndërsa nga minoriteti serb të papunë janë 13.190, minoritetet tjera si romët, ashkalinjtë, boshnjakët janë 17. 505 të papunë.
Këto të dhëna, sipas MPMS-së, janë vetëm të dhëna bazë, por të dhëna të sakta nuk ka se sa është numri i të papunësuarve në Kosovë.
As Enti i Statistikave të Kosovës nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i të papunësuarve në Kosovë. Në prezantimet e ESK-së të punësuar janë 73 mijë persona në sektorin publik dhe 80 mijë në sektorin privat.



