Kryeqendra kosovare Prishtina nuk po bëhet rehat me ngrohjen qendrore edhe pse çdo vit shpenzon miliona euro për mazut.
Kështu që si zgjidhje e vetme kanë mbetë termocentraleve në Obiliq ku çdo ditë derdhin me mija metra kub ujë të nxehtë që shkon kot, rrjedhës së lumit.
Një projekt i tillë është filluar gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar për ngrohen e banesave të kryeqytetit duke shfrytëzuar avullin që liron Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), duket se ka gjasa të jetësohet njofton Zëri.
Pavarësisht se gypat me të cilët planifikohej bartja e avullit nga KEK-u, të cilët deri së voni kanë qenë përskaj magjistrales Obiliq – Prishtinë, në shumë pjesë janë demoluar, e disa të tjera nuk ekzistojnë fare, nëTermokos shpresojnë se projekti do të ringjallet.
Zëdhënësja e “Termokosit” Zana Efendia ka thënë se ky projekt është aktualizuar gjatë vitit të kaluar, dhe atë pas shumë takimeve të drejtuesve të “Termokosit” me institucionet vendore e ndërkombëtare, ku sipas saj, është arritur që të sigurohen mjete për investim.
BE dhe Banka Gjermane kanë angazhuar një konsulencë për të bërë rishikimin e studimit të vitit 2005, gjë e cila do të fillojë nga mesi i muajit mars, dhe qëllimi i rishikimit të studimit është të identifikohet edhe një herë teknologjia me të cilën mund të realizohet një projekt i tillë, ku fillimi i realizimit të projektit mendohet të jetë në vitin 2013 ka thënë ajo.
Nga donacionet e BE dhe kreditë që planifikohet të merren, “Termokosi” në tre vjetët e ardhshëm do të fillojë rehabilitimin e pjesës ekzistuese të rrjetit të ngrohjes qendrore dhe nënstacioneve termike, me qëllim që të përgatitet për jetësimin e projektit madhor të prodhimit të energjisë së kombinuar elektrike dhe termike nga KEK-u shton ajo.
Ndërsa zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Viktor Buzhala, pohon se projekti për ngrohjen është i mirëseardhur.
Ky projekt do ta ndihmonte shumë Komunën e Prishtinës, Fushë-Kosovës, Kastriotit, Vushtrrisë dhe vetë KEK-un, sepse do të lironte për përdorim adekuat një pjesë të madhe të energjisë elektrike, e cila aktualisht po përdoret për ngrohje. Pra, projekti nuk ka pasur të bëjë vetëm me Komunën e Prishtinës, por me disa komuna ka thënë ai.
Buzhala thekson se KEK-u është i gatshëm ta japë avullin sipas marrëveshjes eventuale që do të arrihej dhe të kryejë investimet për përshtatjen e infrastrukturës brenda aseteve të veta.
Ndërkohë zyrtarët e Komunës së Prishtinës thonë se projekti ishte, por koha ka ndikuar që të demolohen pajisjet që tanimë janë jofunksionale. Edhe nëse realizohet kjo duhet të bëhet me partneritet publiko-privat, ngase komuna nuk ka mjete. (zeri/aktualiteti)



