Beqaj: Ligjet për ekonomi duhët të ndryshohen

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës  Jakup Krasniqi, e ka pritur në takim  kryetarin e Odes Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj , i cili shoqërohej nga një grup biznesmenësh kosovarë dhe ka biseduar me ta lidhur me problemet dhe sfidat me te cilat po ballafaqohet komuniteti i biznesit në Kosovë dhe jashtë vendit.

Kryetari i OEK-ut, Beqaj, e ka njoftuar kryeparlametarin Krasniqi për ecuritë ekonomike në vend, duke  ngritur shqetësimin e tij dhe të komunitetit të biznesit, për rritën e pamjaftueshme ekonomike, të shënuar në vend, si dhe për shtimin e papunësisë. Beqaj ka theksuar se gjendjen në lëmin e ekonomisë në Kosovë e vështirëson vonimi i nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit ekonomik dhe të lëmit të shërbimeve me vende të ndryshme.

Ai ka përmendur nevojën e ndryshimeve të një varg ligjesh, të cilat e rregullojnë sferën ekonomike të vendit,  duke  kërkuar pjesëmarrjen e ekspertëve të Odës Ekonomike të Kosovës në punën e komisioneve parlamentare, kur shqyrtohen projektligjet që e rregullojnë jetën ekonomike në Kosovë, ose reflektojnë pozitivisht për bizneset e huaja në vendin tonë, të cilat punësojnë qytetarët dhe gjenerojnë të ardhura.

Ndërsa kryeparlamentari Krasniqi ka shfaqur mirëkuptim për shqetësimet e kryetarit të OEK-ut dhe të përfaqësuesve të biznesit, duke shprehur njëherësh gatishmërinë e Kuvendit të Kosovës për të bashkëpunuar në interes të përparimit ekonomik dhe shoqëror të vendit.
 “Mbetet obligim i Odës Ekonomike të Kosovës të piketojë të gjitha ligjet e sferës ekonomike të miratuara më parë që ka nevojë të plotësohen apo ndryshohen, si dhe të japë propozimet më të qëndrueshme për t’i bërë sa  me funksionale ligjet ekonomike të vendit” ka theksuar Krasniqi.

Kurse kryetari i OEK-ut dhe përfaqësuesit e biznesit, janë treguar të gatshëm për bashkëpunim dhe kanë ofruar gjithë përvojat dhe kapacitetet e tyre profesionale, për të gjetur rrugë që çojnë në një zhvillim më të përshpejtuar ekonomik të Kosovës.

 

 

Komento


Emri:

E-mail:

Komenti: