Remitencat shfrytëzohen vetëm për konsum në Kosovë

Megjithëse mërgimtarët tanë sjellin në Kosovë qindra milionë euro për çdo vit, ato shfrytëzohen vetëm për konsum, jo edhe për ndonjë politikë zhvillimore, e cila do të krijonte më shumë vende të reja pune dhe fonde më të mëdha në bankat vendore.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, për paratë që vijnë nga diaspora dhe që shfrytëzohen vetëm për konsum, thotë se kjo është një dukuri mjaft shqetësuese.

Remitencat nga viti në vit janë duke rënë.

Vetëm për një vit kanë rënë 8 deri në 10 për qind.

Në rënie ka ndikuar edhe kriza globale.

Nuk mjafton që remitencat që vijnë nga diaspora të shfrytëzohen për konsum ditor dhe për ndërtimin e shtëpive familjare, ka theksuar ai.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, pohon se është koha që edhe Qeveria e Kosovës të mendojë me projekte të ndryshme ta bëjë thithjen e remitencave.

Oda Ekonomike do t’i promovojë mundësitë për të investuar në ndërmarrje të vogla.

Me këto para mund të krijohen vende të reja të punës dhe të përmirësohet bilanci i pagesave në Kosovë, ka potencuar ai.

Kurse eksperti i ekonomisë, Labinot Lekaj, thekson se indikatorët që kanë shënuar rritjen e remitencave, të cilat në këtë vit kanë qenë më të mëdha, duhen shikuar nga një këndvështrim tjetër.

Dërgimi i qindra milionë eurove nga mërgimtarët tanë që jetojnë në vendet perëndimore, sado që janë për konsum, prapëseprapë kanë efekt pozitiv në ekonominë e Kosovës, ka theksuar ai.

Por, Lekaj shprehet se sikur të kishte një politikë të caktuar qeveritare për t’i thithur më shumë remitencat për zhvillim, atëherë do të përfitojnë më shumë Kosova dhe qytetarët.

Edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Ibrahim Hoxha, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të hartojë një strategji të përbashkët me grupe të interesit së bashku nga diaspora për ta gjetur mënyrën dhe për të krijuar lehtësira për investime të diasporës në Kosovë.

Shfrytëzimi vetëm për konsum të diasporës, nuk është në të mirë të Kosovës.

Tani është koha të kalohet nga faza e mbijetimit në atë të zhvillimit dhe ofrimit të kushteve favorizuese për investitorët potencialë nga Kosova, ka vlerësuar ai.

Ndryshe, remitencat, përfshirë periudhën janar-maj 2010, kapin shifrën prej 186 milionë eurosh, krahasuar me 183 milionë euro sa ishin në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ose rritje vjetore prej 1.6 për qind.

Sa i përket shteteve prej nga vijnë remitencat, rezulton se Gjermania dhe Zvicra janë dy shtetet kryesore, ku vlerësohet se edhe është e përqendruar pjesa më e madhe e emigrantëve kosovarë.

Vetëm nga Gjermania dhe Zvicra vijnë rreth gjysma e vlerës së përgjithshme të remitencave, ndërsa rreth 80 për qind e tyre vijnë përmes kanaleve zyrtare, nëpërmjet bankave komerciale dhe agjencive për transferim të mjeteve.(epoka e re/aktualiteti)

 

 

 

 

 

Komento


Emri:

E-mail:

Komenti: