Ndërtimi i autostradës së dytë Prishtinë - Shkup do të hapë korridore të reja nga Kosova për në rajon dhe vend të tjera.
Zëdhënësi i Ministrisë së Transportit, Xhevdet Pozhari, ka thënë se procedurat janë drejt përfundimit dhe se në këtë muaj priten të konkretizohen specifikat e projektit, duke nënkuptuar vlerën e projektit, kohën dhe të gjitha gjërat e tjera që janë të parapara.
Javë më parë ministri Limaj e ka bërë publik edhe njërin nga projektet e tjera kapitale: ndërtimin e autostradës Prishtinë - Shkup.
Pasi procedurat janë drejt përfundimit, ky projekt pritet të konkretizohet në fillim të shtatorit, ka thënë Pozhari.
Ai ka bërë me dije se kjo autostradë do të ndërtohet me koncesion.
Koncesionuesi do ta ndërtojë këtë autostradë dhe do ta mbajë një kohë në shfrytëzim, ndërkohë nëpërmjet këtij varianti do ta mbrojmë paranë publike dhe gjithashtu, do të fitojmë një korridor të ri, i cili do të sjellë një zhvillim të ardhshëm ekonomik për vendin, ka theksuar ai.
Me ndërtimin e kësaj rruge pritet të krijohet qarkullim më i lehtë dhe më i shpejtë për qytetarët e të dyja vendeve.
Në vazhdim Pozhari ka deklaruar se ka mjaft investitorë, të cilët janë interesuar për kapitalizmin e këtij projekti kapital.
Ndërkohë, ekspertë të ekonomisë kanë vlerësuar se ndërtimi i autostradës Prishtinë - Shkup është në të mirë të të gjithë rajonit.
Alban Zogaj, ekspert i ekonomisë, ndërtimin e autostradës që do ta lidhë Prishtinën me Shkupin e konsideron hap të qëlluar dhe të arsyeshëm ekonomikisht.
Ky është një projekt shumë i rëndësishëm jo vetëm për Prishtinën dhe Shkupin, por për të gjithë rajonin, sepse do të bëhet një lidhje shumë e rëndësishme me Maqedoninë, por edhe me Greqinë, ka vlerësuar Zogaj.
Ndërtimin e kësaj autostrade ndërmjet koncesionimit, Zogaj e vlerëson të lehtë për t’u realizuar.
Kjo autostradë ka një rëndësi të veçantë për të dyja vendet, kështu që konsideroj se do të ketë interesim prej investitorëve të jashtëm për të investuar në këtë projekt, duke e marrë parasysh se do të ketë të hyra të mëdha nga qarkullimi i veturave, automjeteve të tjera transportuese etj, ka deklaruar Zogaj.
Rruga e gjatë 86 km nga Prishtina për në Shkup përshkohet me një shpejtësi jo më të madhe se 70 apo 80 kilometra për orë.
Maqedonia ka bërë plan që shumë shpejt ta ndërtojë autostradën deri në kufij me Kosovën.(epoka e re/aktualiteti)



