Artikujt ushqimorë në hava, qytetarët brengosen për turshi!

Konsumatorët po përballen me rritjen e kostos së jetesës së tyre nga rritja e çmimeve.

Ka disa javë që në tregjet kosovare vërehet trend i rritjes së çmimeve, sidomos të artikujve ushqimorë.

Përpos çmimit të bukës që është ngritur “publikisht” në fillim të muajit gusht, në një krahasim të bërë me çmimet e katër muajve më parë, të publikuar nga Enti i Statistikave, shihet ngritja e çmimeve tek të gjithë artikujt e tjerë kryesorë të tryezës.

Një litër vaj ushqimor që në muajin prill kishte çmimin mesatar prej 1.03 euro, tani shitet mesatarisht 1.50 euro litri.Edhe vezët që katër muaj më parë 30 kokrra shiteshin për 2 euro, tani shiten mesatarisht për 0.50 euro më shtrenjtë.

Produktet e qumështit, që është njëri nga produktet tjera më të konsumuara në treg, ka pasur një ngritje të lehtë.

Mishi i gjedhit, që katër muaj më parë shitej mesatarisht për 5.40 euro një kilogram, tani shitet për 5 për qind më shtrenjtë.

Për dallim nga mishi i gjedhit, mishi i pulës në treg është shtrenjtuar për gati 50 për qind.

Tani një kilogram i mishit të bardhë të pulës shitet në shitoret e kryeqytetit për 3.35 euro nga mesatarisht 2.25 sa ishte katër muaj më parë.

Ngritja e tërësishme e çmimeve është vërejtur edhe tek sheqeri.

Kilogrami i sheqerit me pakicë në disa markete të mëdha shitet për 0.76 centë kilogrami, apo 25 centë më shtrenjtë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Për dallim me katër muajt më parë sheqeri është shtrenjtuar për vetëm 5 centë kilogrami.

Çmimet e perimeve dhe të pemëve në tregjet e gjelbra vazhdojnë të rriten gjithashtu.

Qytetarët që për çdo ditë i vizitojnë këto tregje, thonë se janë dëshmitarë se çmimet ndryshojnë nga dita në ditë.

Sipas blerësve, prodhimet bujqësore që ofrohen në treg gjatë këtij muaji janë shumë më të shtrenjta krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Nëse edhe gjatë shtatorit mbesin këto çmime të njëjta, atëherë qytetarët ankohen se këtë dimër mund ta kalojnë pa turshi.

Me këto çmime vështirë se do të mund të përgatis turshitë, thotë Ferizi, që endej nëpër treg për të parë nëse ka diku ndonjë çmim më të favorshëm.

Ai shpreson se në pjesën e dytë të muajit shtator të ketë çmime më të lira dhe tek atëherë t’i blejë turshitë e tij.

Mirëpo, tregtarët e tregjeve kanë versionin e tyre për rritjen e çmimeve.

Ata thonë se në rritjen e çmimeve kanë kontribuuar shumë efekte të tjera globale.

Por pa faj nuk është as ngritja e akcizës së fundit në derivate të naftës nga  Qeveria e Kosovës dhe vera e thatë që mbajti dhe  e cila ndikoi në rritjen e çmimeve të produkteve nga importi.

Ne shumë pak prodhim vendor kemi. Çmimet e importit të këtyre produkteve i përcakton prodhuesi.

Në Maqedoni, prej nga furnizohemi kryesisht me pemë dhe perime, çmimet janë ngritur për 20 për qind dhe kjo ndikon edhe në tregun tonë, tha Visar G., njëri nga tregtarët e perimeve në tregun e gjelbër.

Si arsye për shtrenjtim përmendet thatësia në disa pjesë të Evropës dhe kërcimi i çmimeve tek kulturat e drithërave.

Në Kosovë do të ndikojë edhe ngritja e akcizës në derivatet e naftës.

Kryetari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thotë se me këtë trend të rritjes së çmimeve një familje mesatare në Kosovë nuk mund të përballojë muajin pa sakrifikuar shumë.

Sipas Kaçanikut, nëse e krahasojmë me të ardhurat personale, në Kosovë çmimet janë të pakrahasueshme.

Edhe të dhënat statistikore tregojnë se çmimi i domateve dhe i specave përgjatë muajit qershor dhe gusht ka shënuar rritje deri 20 për qind.

Edhe pse të dhënat përfundimtare lidhur me çmimet e muajit gusht zyrtarët e Departamentit të Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare parashohin një inflacion deri në 3 për qind, vetëm në muajin gusht, kur edhe u shënuan ngritjet më të mëdha të artikujve ushqimorë.

Sipas parashikimeve, këtë muaj do të kemi një inflacion deri në 3 për qind, ngase produktet më të konsumuara kanë pësuar ngritje çmimesh, ka thënë Ilir Berisha, drejtor i Departamentit të Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare.

Çmimet e konsumit në Kosovë, sipas të dhënave të Entit, në muajin korrik ishin ngritur për 0,3 për qind krahasuar me muajin qershor.

Ngritje e çmimeve është vërejtur te pemët, te përdorimi i pajisjeve për transportin personal, qumështi, djathi dhe te vezët e duhani.(koha/aktualiteti)

 

 

 

Komento


Emri:

E-mail:

Komenti: