Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, premtuan mbështetje për prodhuesit dhe bizneset vendore, duke siguruar se do të lehtësojnë politikat fiskale. Kryeministri tha se prej një janarit prodhuesit qumështit do të jenë të liruar nga TVSH-ja.
Me rastin e hapjes së panairit të produkteve bujqësore kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, kërkoi nga institucionet e Kosovës përkrahje më të madhe për prodhuesit dhe bizneset vendore. Sipas tij vetëm një partneritet i mirë ndërmjet institucioneve dhe këtyre të fundit mund të arrihet një zhvillim i mirëfilltë ekonomik.
“Partneriteti i Qeverisë me biznese vendore është parakusht për investime dhe për krijime të vendeve të punës, por njëkohësisht do të jetë çelës për investime të huaja“, ka thënë Beqaj.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se përkushtimi i institucioneve tona për rritje të investimeve në bujqësi jo vetëm se është obligim yni, por është edhe kusht për integrimin e Kosovës.
“Ajo që besoj që është një nga dritaret themelore të orientimit të Qeverisë së Kosovës, mbështetja në zhvillim intensiv dhe të shpejt të agro-ekonomisë, plus e di se është edhe prioritet i Bankës Botërore. E treta që është paralelisht tepër e nevojshme, kjo është pjesë e standardeve të integrimit të Kosovës”, ka theksuar presidenti Sejdiu.
Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi, tha se Qeveria e Kosovës, sa i përket sektorit të bujqësisë, ka shtuar efikasitetin e qeverisë. Vetëm gjatë këtij viti qeveria ka rritur të hyrat kapitale mbi 120 për qind.



