Kreu i NATO-s Anders Fogh Rasmuse kërkoi që Aleanca të jetë hallka përfshirëse e lojtarëve ndërkombëtare në fushën e sigurisë.
“Nuk ka asgjë të keqe nëse Kina, India, Pakistani dhe vende të tjera, zhvillojnë marrëdhënie më të ngushta me NATO-n” tha Anders Fogh Rasmusen.
I pari i NATO-s i bëri këto komente gjatë Konferencës ndërkombëtare të sigurisë në Mynih. Ai bëri thirrje që Aleanca të shtojë kontaktet lidhur me çështjet e sigurisë globale me vende si Kina, India, Pakistani.
Anders Fogh Rasmusen tha se NATO-ja nuk mund t’i përmbushë detyrat pa u përfshirë në dialog aktiv e sistematik me lojtarë të tjerë të rëndësishëm të skenës ndërkombëtare.
Kërcënimet ndaj Evropës dhe Amerikës së Veriut vijnë nga pjesë të ndryshme të botës. Kështu që e vetmja mënyrë që NATO-ja t’i adresojë këto kërcënime si duhet, është përmes krijimit “të një koalicioni më të gjerë e më përfshirës”.
Ai shtoi se Aleanca ka qenë në gjendje të përballet me kryengritësit në Afganistan, vetëm duke u bazuar në këtë bashkëpunim .
“India ka rol në stabilitetin e Afganistanit. Kina gjithashtu. Të dyja këto vende mund të ndihmojnë edhe më shumë për zhvillimin dhe rindërtimin e Afganistanit. E njëjta gjë vlen dhe për Rusinë” u shpreh shefi i NATO-s.
Sipas tij duhet ti jepet fund këtij fragmentimi, do të kërkojë një revolucion të vërtetë në kulturat e punës” theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s.
Aktualisht Aleanca po diskuton konceptin e ri strategjik, i cili do të merret në shqyrtim në takimin e Portugalisë nëntorin e ardhshëm.
Ndryshe Rasmusen theksoi se detyra kryesore e NATO-s mbetet mbrojtja e vendeve anëtare. Ai shtoi se “kemi planet e duhura, strategjitë dhe solidaritetin për të mbrojtur shtetet anëtare”. (Radio Evropa e Lirë/Aktualiteti)