Spanja ka reaguar me skepticizëm ndaj njoftimit të organizatës ilegale baske ETA për një armëpushim në të ardhmen nga ana e saj. Si qeveria në Madrid, ashtu dhe qeveria rajonale në territoret baske e cilësuan deklaratën e ETA-s si të "pamjaftueshme".
Në të njëjtën kohë ata kërkuan nga seperatistët të heqin dorë përfundimisht nga dhuna. Në një mesazh përmes një videoje ETA më parë kishte bërë të ditur se ajo është e gatshme që të nisë një "proces demokratik" për krijimin e një shteti të pavarur në territoret baske.
ETA lufton që prej katërdhjetëvjetësh për pavarësinë e territoreve baske në veri të Spanjës dhe në jugperëndim të Francës. Ajo konsiderohet si përgjegjëse për vdekjen e 850 personave. (deutsche welle)



